Zjarri përfshin një banesë në Ferizaj, lëndohet një zjarrfikës
Një banesë është përfshirë nga zjarri në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj, në orët e para të së dielës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti është raportuar më 22 nëntor, rreth orës 02:55, ndërsa rrethanat se si ka shpërthyer zjarri ende nuk dihen.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë evakuuar banorët dhe kanë arritur ta shuajnë zjarrin.
Si pasojë e incidentit, përveç dëmeve materiale, lëndime trupore ka pësuar një zjarrfikës.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe se hetimet janë duke vazhduar.















