Debati për afrimin e Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian dhe mundësia e rikthimit në union kanë nxitur reagime të forta në skenën politike britanike. Pesë ish-kryeministra shprehen kundër rihapjes së çështjes së Brexit dhe paralajmërojnë për pasoja politike dhe ekonomike nga nisja e negociatave të reja me Brukselin. Mes tyre, Tony Blair, i cili e ka cilësuar më parë Brexit si një gabim, shpreh rezervë ndaj rikthimit në BE dhe thekson nevojën për ndryshime në politikat evropiane, sidomos në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
Rishi Sunak paralajmëroi se rikthimi i debatit do të ishte përçarës dhe do ta largonte qeverinë nga çështjet kryesore të vendit, duke theksuar se sektorë kyç të ekonomisë britanike, si shërbimet financiare dhe teknologjia, përfitojnë nga mundësia për të vepruar jashtë disa rregullave të BE-së. Theresa May kundërshton rikthimin në union, duke rikujtuar se qytetarët votuan për largimin në referendumin e vitit 2016 dhe duke kërkuar që rezultati të respektohet për të shmangur një debat të gjatë politik. Në të njëjtën frymë është dhe Boris Johnson, i cili paralajmëron se negociatat e reja me Brukselin mund të zgjasin me vite dhe të konsumojnë energjinë qeverisëse.
David Cameron paralajmëron se një debat i ri mbi anëtarësimin mund ta përfshijë vendin në një proces të gjatë e të ndërlikuar politik, ndërsa Liz Truss shpreh gjithashtu kundërshtimin ndaj idesë së rikthimit. Këto reagime vijnë ndërsa qeveria po shqyrton mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, emetimet e karbonit dhe lëvizjen e të rinjve mes dy palëve.
Afrimi me BE-në vazhdon të sjellë polemika në politikën britanike, veçanërisht për çështje që lidhen me tregun e përbashkët, sovranitetin dhe kostot ekonomike të një rihyrjeje në union. Kryeministri ka deklaruar se marrëdhëniet me BE-në do të diskutohen gjatë muajve të ardhshëm, duke lënë të hapura mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë. Debati për të ardhmen e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pritet të mbetet një nga çështjet qendrore të politikës britanike, dhjetë vjet pas referendumit të vitit 2016.

