Sulmi ndaj anijes ruse në Libi, reagon diplomacia shqiptare: Pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë janë të pavërteta
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve se dronët detarë që goditën një anije luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi, mund të jenë nisur nga territori shqiptar.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke theksuar se nuk pasqyrojnë faktet.
MEPJ nënvizon se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në këtë incident dhe se territori shqiptar nuk është përdorur, apo vënë në dispozicion, për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
Ministria i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet, duke theksuar se ato janë publikuar pa prova të verifikueshme.
Gjithashtu, u është bërë thirrje personave dhe platformave që kanë shpërndarë këto informacione të korrigjojnë raportimet dhe të tregojnë kujdes e përgjegjshmëri kur trajtojnë çështje të një ndjeshmërie të tillë.
Reagimi i diplomacisë shqiptare vjen pas raportimeve të disa llogarive në rrjetin social X, sipas të cilave dronët që goditën korvetën ruse “Merkury” mund të jenë nisur nga Shqipëria.

Reagimi i plotë i MEPJ
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.
I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.




