Interesi i Romës dhe i Lazios për Ernest Muçin e ka vënë në lëvizje klubin e Trabzonsporit. Sipas “Super Haber”, presidenti Ertugrul Dogan e ka kuptuar rëndësinë që shqiptari ka për skuadrën e tij dhe ka preferuar të rezistojë, të paktën deri në këto momente. Për të, prania e Muçit në skuadër mbetet shumë e çmuar dhe nuk e mendon largimin e tij në mes të sezonit, pavarësisht se ofertat që mund t’i vijnë futbollistit nga Pogradeci mund të arrijnë ose edhe të tejkalojnë kërkesat financiare.
Drejtuesit e Trabzonsporit nuk kanë ndërmend të lëvizin nga pretendimet e tyre, të cilat nisin nga së paku 22 milionë euro. Sipas Dogan, nuk do të ishte zgjedhja e duhur që të lejohej ikja e një lojtari si Ernest Muçi. Kjo lidhet edhe me nevojën që trajneri Thomas Reis ka për cilësitë e tij, teksa numrat janë të qartë: plot 9 kontribute mes golave dhe asistimeve në Superligën turke.
Të lidhura
None found
Nëse nuk shfaqet konkurrencë më e hapur në vijim, përplasja mes Lazios dhe Romës do të bëhet edhe më e fortë në merkaton e janarit. Në atë moment do të shihet se sa do të peshojë rezistenca e presidentit Dogan për të mbajtur në skuadër një yll që ofron të gjitha karakteristikat e një mesfushori modern dhe vendimtar në fushë.







