Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve se sulmi me dron detar kundër një korvete ruse ka pasur si pikënisje territorin shqiptar.
Sipas ministrisë, Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
Reagim i Ministrisë së Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.
I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.