Në një postim në rrjetet sociale, Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka reaguar me një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të Alush Dragoshit, ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë në vitet 1992-1997, të cilin e cilëson si një mik të shtrenjtë dhe një personalitet me integritet të lartë moral e profesional.
ajdari shpreh dhimbjen për humbjen e Dragoshit, duke kujtuar njohjen e tyre që në vitin 1993, kur ai u emërua shef i Policisë Hetimore në Komisariatin nr. 4 në Tiranë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, që prej asaj kohe, ish-Prokurori i Përgjithshëm u bë një mbështetës i rëndësishëm në rrugëtimin e tij profesional dhe një mik i afërt.
Hajdari e përshkruan Dragoshin si një burrë fisnik, të drejtë, të ndershëm dhe me integritet të lartë, duke theksuar se dinjiteti, besimi në Zot, mirësia dhe respekti për njerëzit ishin tipare që e karakterizonin.
Prefekti i Tiranës kujton edhe takimin e fundit me mikun e tij në spital, ku, pavarësisht sëmundjes së rëndë, Dragoshi kishte ruajtur qetësinë dhe forcën.
Ai tregon se vizitën e kishte bërë së bashku me bashkëshorten, në prani të vajzës së Dragoshit, Arjanës, dhe nuses së njërit prej djemve të tij.
“Pas kësaj bisede u përqafuam gjatë dhe, kur u ndamë, mezi i mbajta lotët. Isha i bindur se ky mund të ishte takimi im i fundit me këtë njeri e mik të rrallë. Por në zemër ruaja shpresën se Zoti do ta ndihmonte ta fitonte këtë betejë”, shkruan Hajdari.
Ai thekson se me ndarjen nga jeta të Alush Dragoshit, drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë, familja një njeri të shtrenjtë, ndërsa ai vetë një mik të madh dhe mbështetës të sinqertë.
“Ka njerëz që largohen nga kjo jetë, por nuk largohen kurrë nga zemrat tona. Alushi ishte njëri prej tyre”, shkruan prefekti, duke shprehur ngushëllimet për familjen, fëmijët dhe të gjithë të afërmit e të ndjerit.
Në fund të mesazhit, Shkëlqim Hajdari i drejton mikut të tij fjalët e lamtumirës, duke shprehur mirënjohjen dhe mallin për të, ndërsa ullirin në fotografinë e publikuar e cilëson dëshmitar të miqësisë dhe vëllazërisë së tyre të sinqertë.








