Lajmi i fundit

Vrasje në Fier, identifikohet viktima

VIDEO/ 'Droni i nisur nga Shqipëria goditi anijen ruse': Pse u përhap ky spekulim nga media turke?

VIDEO/ 'Droni i nisur nga Shqipëria goditi anijen ruse': Pse u përhap ky spekulim nga media turke?

09:49, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministria e Jashtme e Shqipërisë bëri një reagim të hënën në mëngjes lidhur me disa raportime se një dron detar i nisur nga Shqipëria ka goditur një anije ruse në Libi.
Ministria thotë se ky lajm nuk është aspak i vërtetë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar. Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.

Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë,” deklaron Ministria e Jashtme.

Pamjet e shpërthimit u publikuan edhe nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky.

"Një operacion shembullor ukrainas në përgjigje të luftës së Rusisë. Falënderoj luftëtarët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe të gjithë pjesëtarët e Forcave tona të Mbrojtjes që morën pjesë në përmbushjen e këtyre detyrave. Dje dhe sot mora informacione të hollësishme mbi hapat e operacionit – objektivat që kishim vendosur u arritën.

Gjithçka ndodhi pranë bregdetit të Libisë. Luftëtarët tanë përdorën shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë. Pavarësisht përpjekjeve të armikut për ta zmbrapsur sulmin, korveta ruse "Merkury" u fundos. Është një nga anijet e tyre më të reja, e vënë në shërbim në vitin 2023, gjatë luftës në shkallë të gjerë. Së bashku me korvetën, u shkatërrua edhe një helikopter luftarak Ka-27. Objektivi ynë i dytë ishte anija ruse e ngarkesave të thata "MV ANGARA", të cilën armiku e përdorte për transportin e armëve. Rezultati: objektivi u godit.

Ne vazhdojmë operacionet tona në ujërat e caktuara. Po i përgjigjemi agresionit të Rusisë. Po prodhojmë armë ukrainase. Lavdi Ukrainës!" shkruan ai.

 

 

Por nga doli ky lajm?

Burimi fillestar është një media e quajtur Clash Report.

Edhe pse është një media ndërkombëtare, ajo njihet si media e lidhur me shtetin turk. Madje ka pasur raportime se media është e lidhur me qarqe pranë Erdoganit.

Kjo media shkruan se mjetet pa pilot që sulmuan korvetën ruse “Merkury” në portin e Bengazit nuk u nisën nga Libia perëndimore, por nga territori shqiptar. 

Sipas një burimi të cituar nga Clash Report, pala lindore libiane ka zbuluar vendin e nisjes së tyre. Pretendimi mbetet i pakonfirmuar.

Ndërkohë, portali Estonia First shkruan se kjo është një tentativë e Turqisë për të flijuar Shqipërinë, një vend anëtar i NATO-s.

Autori Andrew Korybko sugjeron se pretendimi për përfshirjen e Shqipërisë mund të jetë pjesë e një loje dezinformimi nga Ankaraja, që synon të mbrojë interesat strategjike të Turqisë në territorin libian.

Sipas analizës, Ukraina dyshohet se ka përdorur një bazë në Libinë perëndimore për të organizuar sulmin ndaj anijes ruse, e cila ndodhej në një bazë detare në Bengazi, zonë nën ndikimin e forcave të gjeneralit Khalifa Haftar.

Autori kujton se Turqia ka mbështetur prej vitesh qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli, ndërsa forcat e Haftarit kanë pasur mbështetjen e Egjiptit dhe Rusisë. Megjithatë, sipas tij, gjatë periudhës së fundit janë shënuar afrime mes Ankarasë dhe kampit lindor libian.

Këto zhvillime, argumenton Korybko, kanë krijuar mundësinë për një proces të ri bashkëpunimi dhe afrimi politik mes dy palëve rivale, proces në të cilin Turqia ka investuar interesa të rëndësishme politike, ekonomike dhe strategjike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco