Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra të Pogradecit. Të paktën nëntë fshatra në njësitë administrative Trebinjë dhe Velçan kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjet.
Në njësinë administrative Trebinjë, ndërprerja e energjisë ka prekur fshatrat Çezma e Madhe, Çezma e Vogël, Hondishti dhe Llënga.
Probleme me furnizimin raportohen edhe në njësinë administrative Velçan, ku era e fortë ka dëmtuar përcjellësit e rrjetit elektrik. Pa energji kanë mbetur Bishnica, Jolla, Velçani, Buzaishta dhe Shpella.
OSHEE bën me dije se disa ekipe janë angazhuar në terren dhe po punojnë për riparimin e dëmtimeve, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.
Kjo zonë është përballur me të njëjtën problematikë edhe rreth një javë më parë, kur disa fshatra mbetën pa energji për më shumë se 48 orë për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
