Në një mbrëmje të vështirë për Interin në Bergamo, ku zikaltërit u ndalën në një barazim spektakolar 4-4 ndaj Atalantës, një emër spikati mbi të gjithë: Pio Esposito. Sulmuesi i ri italian ishte protagonist absolut, duke realizuar tripletën e tij të parë në Serie A me fanellën e Interit.
Deri pak kohë më parë, 20-vjeçari shihej si alternativa e katërt në repartin ofensiv, por dëmtimi i kapitenit Lautaro Martinez dhe besimi i fituar pranë Marcus Thuram i kanë dhënë mundësinë të marrë më shumë përgjegjësi. Esposito e ka shfrytëzuar në maksimum këtë mundësi, duke treguar jo vetëm cilësitë teknike, por edhe një instinkt të veçantë para portës.
Me tre golat ndaj Atalantës, sulmuesi ka shkuar në kuotën e gjashtë golave në kampionat, po aq sa Thuram, ndërsa numëron shtatë realizime në total gjatë sezonit, duke përfshirë edhe golin në Champions League ndaj Feyenoordit në Rotterdam. Në këtë mënyrë, ai është aktualisht golashënuesi më i mirë i Interit në të gjitha kompeticionet.
Tripleta në Bergamo e ka futur gjithashtu në historinë e klubit zikaltër. Me moshën 21 vjeç e 147 ditë, Esposito është bërë lojtari i dytë më i ri i Interit që realizon tre gola në një ndeshje të Serie A gjatë 60 viteve të fundit. Rekordin e mban Ronaldo, i cili e arriti këtë në moshën 21 vjeç e 146 ditë, në ndeshjen ndaj Lecces më 15 shkurt 1998.
Momenti i sulmuesit është fantastik edhe në aspektin e kombëtares italiane. Në ndeshjet e fundit me Interin dhe Italinë, ai ka realizuar tetë gola, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon.
Megjithatë, vetë Esposito preferon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të mos bëjë krahasime me emra të mëdhenj të së kaluarës, si Christian Vieri.
“Është e vështirë të gëzohesh pas këtij rezultati. Sa i përket krahasimeve me Vierin, siç them gjithmonë, duhet ruajtur ekuilibri. Kanë qenë dy javë pozitive në aspektin personal, por nuk do të bëja krahasime të tilla. Duhet vazhdimësi dhe rruga është ende e gjatë”, u shpreh sulmuesi pas barazimit në Bergamo.
Esposito është vetëm lojtari i tretë italian i Interit që realizon një tripletë në Serie A në epokën e tre pikëve për fitore. Para tij këtë arritje e kishin regjistruar Marco Branca, në dy raste gjatë sezonit 1995-1996, dhe Christian Vieri, i cili e bëri këtë katër herë mes viteve 1999 dhe 2003.
