Vrau nipin e Ben Qimes, ekzekutohet Selami Hasani (Sel Çami), mister si ish kapobanda doli nga burgu, rinis larja e hesapeve në Fier

Kronike

Publikuar: 23/11/2026

Vrau nipin e Ben Qimes, ekzekutohet Selami Hasani (Sel Çami), mister si ish kapobanda doli nga burgu, rinis larja e hesapeve në Fier

Selami Hasani, një personazh me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe i dënuar me 25 vjet burg për dy vrasje, është ekzekutuar sot në Fier, ndërsa i plagosur mësohet se ka mbetur rëndë edhe vëllai i tij, Jakup Hasani. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesës së tyre, në lagjen “1 Maji”. Selami Hasani, i njohur si Sel Çami dhe Seli i Malit, është një emër i njohur për drejtësinë në Shqipëri, pasi 23 vite më parë ka vrarë shtetasin Julian Isufaj, nipin e Ben Qimes.

(Sel Çami)

Sel Çami u arrestua në vitin 2009 nga forcat RENEA, ndërsa mbetet mister se si kishte dalë nga burgu. Hasani mësohet se kishte disa vite që kishte dalë nga burgu, çka duket se ka angazhuar armiqtë e tij për ta eliminuar në shenjë hakmarrje. Atentati është i natyrës mafioze dhe i mirëorganizuar. Pas vrasjes së Selami Hasanit, policia ka gjetur një makinë që po digjet në fshatin Ndërmenas, e cila dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Doli nga burgu pas 11 vitesh

Pavarësisht dënimit me 25 vite heqje lirie, Selami Hasani la qelinë në shtator të vitit 2022, pasi kishte vuajtur rreth 11 vite burg. Mbetet e paqartë se si Hasani doli për 11 vite nga burgu kur ishte dënuar me 25 vite burg. Emri i tij ishte prej vitesh i njohur në Fier, për shkak të historisë së konflikteve dhe hasmërisë mes familjeve, që ndër vite janë shoqëruar me episode të rënda kriminale.

Ngjarja

Ngjarja që e bëri të njohur emrin e Hasanit ndodhi më 25 mars 2002, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës”. Gjatë një shkëmbimi zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj dhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit. Sipas dosjes hetimore dhe raportimeve të kohës, në këtë ngjarje u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Përplasja dyshohet se kishte si shkak një hasmëri të vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.

Përplasjet

Në fillim të viteve ’90, Sel Çami ishte ndër kapobandat më të rëndësishëm të Fierit. Arben Isufaj, kishte nisur të bënte shoqëri me të edhe pse “Ben Qimja” aso kohe njihej si djalë që qëndronte larg problemeve. Ai rridhte nga një familje e rregullt. Në fillim të vitit 1994 Ben Qimja konfrontohet me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemër Yzeiri që njiheshin si djemtë e “Sel Çamit”.

Babai i Arbenit, Enver Isufaj një njeri që gëzonte reputacion në zonë, angazhohet për zgjidhjen e konfliktit. Por, Enver Isufaj do të vritej në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Sel Çamit. Kjo, zbulohet nga dëshmia e Bledar Kastratit disa vite më vonë, kur ai së bashku me kushëririn e Ben Qimes ranë pre e një atentati.

Juliani dhe familja e tij kishin hasmëri me të pandehurit Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani. Vëllai i të pandehurit Selami Hasani, Ladi, kishte vrarë xhaxhanë e tij Enver Isufi dhe në këtë vrasje kishte marrë pjesë edhe Pëllumb Yzeiraj.

Kjo ngjarje, do të ishte pikënisje e një serie të gjatë hakmarrjeje mes familjes kosovare të Ben Qimes dhe familjes came të Selami Hasanit.

“Unë njoh dhe kam pasur nëpër duar komplet kontigjentin e trafiqeve aty, të drogës kuptohet, Familjet në Fier, problem kriminalitetit është i mbështetur e zhvilluar në bazë familjare”, ka poahur Dritan Zagani, ish-shef i antidrogës në Fier.

Pasi i vranë të atin, Arben Isufaj largohet jashtë. Nga viti 1994 deri në 1998 ai nuk u shfaq në Fier. Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës. Ben Qimja u fuqizua shumë dhe u shndërrua në furnitorin kryesor të bandës së Aldo Bares në Itali, siç u zbulua nga përgjimet.

Njoftimi i policisë:

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.