Një anije ruse shpëtimi filloi të dielën të tërhiqte një anije mallrash në pronësi ruse, e cila u godit nga dronë në Detin Baltik, jashtë ujërave finlandeze pas dy ditësh shuarjeje të zjarreve, tha roja bregdetare e Finlandës.
Ushtria finlandeze ka thënë se sulmi ndaj anijes Sparta II të shtunën ka të ngjarë të jetë kryer nga Ukraina dhe se anija më vonë është zhytur në ujërat finlandeze.
16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në një anije ruse aty pranë. Një anëtar i ekuipazhit u plagos lehtë.
“Kamerat termike tregojnë se disa kontejnerë janë të ngrohtë, por anija është mjaftueshëm e qëndrueshme që të fillojë rimorkimi”, tha roja bregdetare e Finlandës në një deklaratë. Ajo tha se përgjegjësia për shpëtimin do t’i kalojë Rusisë sapo anija të largohet nga ujërat finlandeze.
Fotot dhe videot e publikuara më parë nga roja bregdetare finlandeze treguan disa anije që e spërkatnin anijen Sparta II me topa uji gjatë natës në një përpjekje për të shuar flakët dhe për të ftohur kontejnerët e grumbulluar në kuvertën e saj, shkruan Reuters.
Në një rast të rrallë të bashkëpunimit ndërkufitar, nga shtatë anijet që ndihmuan në shuarjen e zjarrit, dy ishin ruse, dy ishin estoneze dhe pjesa tjetër ishin finlandeze.
Estonia dhe Finlanda janë anëtare të NATO-s dhe mbështetëse të palëkundura të Ukrainës dhe shpesh në kundërshtim me Moskën për çështje të tjera.
Finlanda mbylli të gjitha kalimet e saj kufitare tokësore me Rusinë në vitin 2023. Estonia do të mbyllë të vetat nga 1 dhjetori, për gjashtë muaj, për arsye sigurie .