Një shtetas shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane në Bolzano, pasi gjatë kontrolleve në automjetin dhe banesën e tij u zbuluan afro dy kilogramë lëndë narkotike dhe rreth 13 mijë euro në para të gatshme.

Operacioni u zhvillua nga efektivët e Seksionit Antidrogë të Policisë së Bolzanos, të cilët kishin ngritur dyshime se shqiptari ishte i përfshirë në shpërndarjen e substancave narkotike.

Gjithçka nisi në rrugën Verona, ku agjentët vunë re disa lëvizje të dyshimta të shqiptarit, të cilat dyshohej se lidheshin me një transaksion droge. Pas vëzhgimit të tij, efektivët vendosën të ndalonin automjetin për kontroll.

Gjatë komunikimit me policinë, shqiptari shfaqi shenja nervozizmi dhe dha versione të ndryshme për arsyen e pranisë së tij në qytet.

Fillimisht, ai pretendoi se kishte udhëtuar drejt Bolzanos për pushime me bashkëshorten dhe vajzën e tij. Në automjet ndodhej edhe një karrocë fëmijësh, çka dukej se mbështeste shpjegimin e dhënë prej tij.

Megjithatë, nga verifikimet rezultoi se familjaret e tij ishin larguar më herët nga territori italian.

I përballur me këtë fakt, shqiptari ndryshoi deklaratën, duke pretenduar se ndodhej në zonë për motive pune, por nuk arriti të paraqiste dokumente apo prova që të vërtetonin këtë version.

Droga e fshehur në makinë dhe banesë

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët zbuluan rreth 20 gramë kokainë, të ndarë në doza dhe të fshehur poshtë elementeve plastike pranë vendit të shoferit.

Gjithashtu, në portofolin e tij u gjetën 315 euro, të cilat hetuesit dyshojnë se mund të jenë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.

Pas këtij zbulimi, policia zgjeroi kontrollet edhe në banesën ku qëndronte shqiptari, në komunën e Appianos.

Gjatë kontrollit të ambienteve, agjentët gjetën sasi të konsiderueshme droge, të fshehura në mobilie të ndryshme.

Në total, autoritetet sekuestruan rreth 920 gramë kokainë në banesë, 946 gramë marijuanë dhe 57 gramë hashash, si dhe sasinë e kokainës së zbuluar më parë në automjet.

Përveç substancave narkotike, policia gjeti edhe peshore elektronike, materiale që dyshohet se përdoreshin për përzierjen dhe paketimin e drogës, si dhe rreth 13 mijë euro cash.

Analizat paraprake të kryera mbi substancat e sekuestruara konfirmuan natyrën e tyre narkotike.

Droga mund të vlente mbi 100 mijë euro

Sipas përllogaritjeve të autoriteteve italiane, sasia e drogës së sekuestruar mund të kishte gjeneruar të paktën 100 mijë euro nëse do të ndahej në doza dhe do të shitej në tregun e paligjshëm.

Në përfundim të operacionit, shtetasi shqiptar u arrestua në flagrancë dhe u transferua në institucionin e vuajtjes së dënimit, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.

Ai dyshohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal.