Kurti kërkon statusin e vendit kandidat në BE: Nuk po kërkojmë favor, por një mundësi për ta dëshmuar veten

23 Nëntor 2026 | 10:58

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat, duke theksuar se vendi meriton të trajtohet në bazë të meritave dhe reformave që ka ndërmarrë.

Në një intervistë për gazetën irlandeze The Irish Times, Kurti ka folur për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, marrëdhëniet me Serbinë, zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e Rusisë në rajon.

Gjatë intervistës, ai ka theksuar se Kosova nuk po kërkon trajtim të privilegjuar apo rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE, por vetëm mundësinë për të nisur zyrtarisht procesin e integrimit.

“Ne vërtet e meritojmë të marrim statusin e vendit kandidat. Nuk po kërkojmë një favor. Po kërkojmë një pyetje, sepse ne do t’i japim përgjigjet”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi, pasi përmes tij Kosova do të mund të përshpejtojë reformat në administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe arsim.

“Pa rrugë të shkurtra, pa dyer të pasme dhe pa përshpejtime të veçanta. Ne po kërkojmë një proces të bazuar në merita”, ka thënë Kurti, duke shpjeguar qëndrimin e tij për raportet e Kosovës me institucionet evropiane.

Një prej pengesave kryesore për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbetet fakti se pesë shtete anëtare të këtij unioni nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Bëhet fjalë për Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë. Kjo situatë vazhdon ta komplikojë rrugën evropiane të Kosovës, e cila ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.

Në intervistë, Kurti ka theksuar se Kosova po kërkon nga Komisioni Evropian që të shqyrtojë mundësinë e dhënies së një opinioni për gatishmërinë e vendit për të nisur procesin e anëtarësimit.

Ndërkohë, ai ka vënë në dukje dallimin në trajtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rikujtuar se Mali i Zi e ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2010, Serbia në vitin 2012, ndërsa Shqipëria në vitin 2014.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës, kryeministri ia ka kushtuar edhe dialogut me Serbinë dhe nevojës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kurti ka ritheksuar se Kosova synon normalizim të plotë të raporteve me Serbinë, të bazuar në njohje reciproke.

Ai ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, se gjatë viteve të fundit ka mbështetur politika që, sipas tij, kanë synuar destabilizimin e institucioneve të Kosovës.

Duke folur për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku u vra polici Afrim Bunjaku, Kurti ka përmendur përgjegjësinë që ia atribuon Beogradit dhe ka kritikuar veprimet e grupeve të armatosura serbe në veri të vendit.

Ai ka shprehur kënaqësinë për ndryshimet politike në Serbi, por ka thënë se ende mbetet e paqartë se çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e re ndaj Kosovës.

“Ta dish kush i humbi zgjedhjet nuk do të thotë se e di kush i fitoi ato”, është shprehur Kurti, duke komentuar zhvillimet politike në shtetin fqinj.

Gjatë intervistës, Kurti ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, duke shprehur shpresën se qeveria e re në Serbi do të ketë orientim më të theksuar evropian.

Ai ka theksuar se Kosova qëndron në anën e Ukrainës dhe se mbështetja për këtë shtet është e rëndësishme për mbrojtjen e demokracisë në Evropë.

“Evropa është në luftë”, ka deklaruar Kurti, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë.

Kryeministri ka shprehur gjithashtu skepticizëm për gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për të arritur një marrëveshje të mirëfilltë paqeje me Ukrainën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it

E ardhmja e trupave amerikane në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë. Gjermania konfirmon se...
10:39 | 23/11/2026

Kaluan ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë, arrestohen 3 persona

Tre persona janë vënë në pranga nga autoritetet në Kosovë. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë. Mësohet se të...
09:23 | 23/11/2026

Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?

Katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përgatiten për një tjetër betejë juridike në Hagë – këtë herë për të kundërshtuar aktgjykimin që i...
15:09 | 22/11/2026