Bruno Fernandes drejt San Siros? Milani ëndërron goditjen e madhe
Milani po monitoron me vëmendje situatën e Bruno Fernandes te Manchester United. Mesfushori portugez është shndërruar në një nga emrat që po ndiqen nga drejtuesit kuqezinj, të cilët po vlerësojnë mundësinë për ta afruar në San Siro.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetarët e njohur të merkatos, Fabrizio Romano dhe Matteo Moretto, të cilët kanë zbuluar se Milani ka pasur kontakte dhe interes konkret për të kuptuar situatën e kapitenit të Manchester United.
Sipas Morettos, rikthimi në futbollin italian është një ide që e tërheq vetë Bruno Fernandes. Portugezi e njeh mirë Serinë A, pasi në të kaluarën ka luajtur me Novara, Udinese dhe Sampdoria.
Megjithatë, një transferim nuk është aspak i thjeshtë. Kontrata e tij me Manchester United është drejt fundit, ndërsa klubi anglez ka mundësinë ta zgjasë marrëveshjen edhe për një sezon tjetër. Bisedimet për rinovimin kanë mbetur pezull, duke lënë të hapur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij.
Sipas raportimeve, Milani nuk është i vetmi klub italian që ka shfaqur interes, pasi edhe Juventusi e ka vlerësuar më herët mundësinë për të transferuar mesfushorin portugez.
Për momentin, gjithçka mbetet në fazën e interesimit dhe monitorimit të situatës. Megjithatë, emri i Bruno Fernandes pritet të jetë një nga çështjet interesante të merkatos në muajt e ardhshëm.




