Lakror çobani, receta e gjyshes nga shefja e kuzhinës Albana Mançja
Çdo ditë, në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelajt, shefja e kuzhinës Albana Mancia sjell receta të shijshme, ide kreative dhe sugjerime për gatime që mund t’i përgatisni lehtësisht në shtëpi. Ndiqni recetat e saj dhe zbuloni çdo ditë shije të reja, hap pas hapi!
Përbërësit:
400 gr miell OLA
400 ml qumësht
200 gr djathë
100 gr gjalpë
4 vezë
1 kg patate
Kripë sipas shijes
Përgatitja:
Përgatisim brumin si për lakrorin tradicional dhe e lëmë të pushojë.
Ndërkohë, lajmë mirë patatet dhe i vendosim të ziejnë në një tenxhere me ujë.
Pasi të kenë zier, kullojmë ujin, i mbulojmë me kapak dhe i lëmë për rreth 30 minuta të ftohen pak. Kjo mënyrë ndihmon edhe në heqjen e lëkurës.
Patatet i qërojmë sa janë ende të ngrohta dhe i shtypim mirë derisa të përftojmë një pure të njëtrajtshme.
Puresë i shtojmë gradualisht djathin, vezët, qumështin, kripën dhe gjysmën e sasisë së gjalpit. I përziejmë mirë derisa të krijohet një masë e butë dhe homogjene.
Hapim petët e lakrorit. Gjysmën e tyre i shtrojmë në një tepsi të lyer me gjalpë, duke i spërkatur me pak gjalpë ndërmjet shtresave.
Përhapim mbi petë mbushjen me patate dhe e nivelojmë në mënyrë të njëtrajtshme.
Sipër vendosim petët e mbetura, rregullojmë mirë anët dhe e spërkatim sipërfaqen me gjalpin e mbetur.
E pjekim në saç ose në furrë të nxehur mirë, derisa lakrori të marrë një ngjyrë të bukur të artë.
Këshilla e Albanës: Për një mbushje sa më të butë, patatet shtypini kur janë ende të ngrohta dhe shtojeni qumështin gradualisht. Kështu pureja bëhet kremoze dhe shpërndahet më lehtë mbi petë.




