Policia ka zbardhur shpërthimin e ndodhur më 14 nëntor në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse shpërtheu në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje. Në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmimi”, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 60-vjeçar, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan. Ndërkohë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe tri shtetase, dy prej tyre 21 dhe 18 vjeçe, si dhe një 17-vjeçare.
Nga hetimet dyshohet se tri vajzat kanë qenë në automjet së bashku me 60-vjeçarin në momentin e kryerjes së ngjarjes, por nuk kanë kallëzuar krimin.
Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur ditën e shpërthimit, si dhe katër aparate celularë, në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e 60-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
