Futbollistët shqiptarë kanë lënë gjurmë në kampionatet europiane gjatë kësaj fundjave, duke u bërë protagonistë me gola dhe asiste në sukseset e skuadrave të tyre.

Në Poloni, Juljan Shehu realizoi golin e parë sezonal me Widzew Łódź, duke shënuar ndaj Raków. Në Itali, Cristian Shpendi vazhdon formën e shkëlqyer, teksa realizoi nga pika e bardhë ndaj Veronës, duke shkuar në kuotën e nëntë golave dhe duke kryesuar listën e golashënuesve në Serinë B.

Protagonist ishte edhe Taulant Seferi në Turqi, ku shënoi në fitoren 3-1 të Kayserispor, duke regjistruar golin e tij të 11-të sezonal. Ndërkohë, në Slloveni, Indrit Tuci vendosi me penallti fitoren 1-0 të Olimpija Ljubljanës ndaj Radomljes.

Paraqitjen më të spikatur e zhvilloi Sabah Kerjota në Skoci. Sulmuesi shqiptar shënoi dy gola dhe dha një asist në fitoren e thellë 8-0 të Hearts ndaj Dundee. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Qazim Laçi, me një asist në suksesin 2-0 të Rizesporit ndaj Amedspor.

Ndërkohë, disa të tjerë e nisën nga minuta e parë me skuadrat e tyre, mes tyre Strakosha, Berisha, Ismajli, Asllani, Muçi, Hoxha dhe Daku. Një fundjavë pozitive për legjionarët kuqezi, të cilët vazhdojnë të konfirmojnë rëndësinë e tyre në kampionatet europiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb