Vrasja e “Sel Çamit”/ Një javë më parë kishte dalë nga burgu, policia blindon zonën
Dyshime për larje hesapesh me Ben Qimen, policia zbarkon në banesat e familjarëve të tij
Vrasja e Selami Hasanit në Fier dyshohet se mund të jetë e lidhur me një konflikt të hershëm mes tij dhe familjes Isufaj, ndërsa hetimet policore janë përqendruar edhe te pista e hakmarrjes. Hasani, i njohur me nofkën “Sel Çami”, u ekzekutua me armë zjarri paraditen e 23 nëntorit, në oborrin e banesës së tij në lagjen “1 Maji”. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe vëllai i tij, Jakup Hasani.
Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë qëlluar ndaj dy vëllezërve me armë zjarri, ndërsa dyshohet se kanë përdorur një automjet tip “Volvo” të bardhë. Pas krimit, automjeti është gjetur i djegur. Ndërkohë, në vijim të kontrolleve janë konstatuar edhe dy automjete të djegura në zona të ndryshme të Fierit, njëri në fshatin Dërmenas dhe tjetri pranë rrethrrotullimit të Pojanit. Policia po verifikon nëse të dyja makinat kanë shërbyer për realizimin dhe largimin e autorëve pas atentatit.
Pista e hakmarrjes, kontrolle në banesat e familjes Isufaj
Një nga pistat kryesore ku po përqendrohen hetimet është ajo e hakmarrjes, për shkak të historikut të përplasjeve mes Selami Hasanit dhe familjes së Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”.
Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002. Ai njihej gjithashtu me nofkën “Seli i Malit” dhe, sipas raportimeve, kishte dalë nga burgu vetëm rreth një javë përpara se të ekzekutohej.
Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes, raportohet se policia ka ushtruar kontrolle në banesat e familjes Isufaj, ndërsa po kryhen verifikime për identifikimin dhe kapjen e personave që mund të kenë marrë pjesë në atentat.
Hasani u qëllua në oborrin e banesës, i plagosur mbeti vëllai i tij
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Fierit, ngjarja është regjistruar rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”. Selami Hasani është qëlluar për vdekje në oborrin e banesës, ndërsa vëllai i tij, Jakup Hasani, ka marrë plagë dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dërmenas është konstatuar një automjet që po digjej, i dyshuar si mjeti i përdorur gjatë krimit.
Ndërkohë, për shkak të dyshimeve se autorët mund të jenë larguar nga zona, janë shtuar kontrollet edhe në hyrje të Vlorës, ku efektivët po ndalojnë automjete të dyshimta dhe po verifikojnë drejtuesit dhe pasagjerët.
Deri në këto momente, autorët nuk janë identifikuar zyrtarisht dhe motivi i vrasjes mbetet objekt hetimi. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe verifikimin e të gjitha pistave, përfshirë atë të hakmarrjes për konfliktet e vjetra mes dy familjeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



