Viktima Selami Hasani ka qenë duke punuar në oborr kur i është bërë atentat bëri të ditur nëndrejtori i policisë së Fierit, Alket Ahmeti, ndërsa saktësoi se personi i plagosur nuk është i vëllai i viktimës por nipi i tij.
“Rreth orës 09:50 në sallën operative të drejtorisë së policisë Fier erdhi një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen nr 1 të Fierit. Policia ka konstatuar se ka ndërruar jetë një shtetas si dhe është plagosur një shtetas tjetër. Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës që ka qenë duke punuar. Aty është plagosur dhe nipi I tij që po merr mjekimin në spitalin rajonal Fier” informoi zyrtari policor.
Ahmeti saktësoi më tej se viktima kishte qenë duke punuar murin rrethues të oborrit kur dhe u ekzekutua.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë për të ndihmuar në zbulimin e autorëve.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për më shumë se një autor që kanë marrë pjesë në atentat. Ndërkohë pak minuta pas krimit policia gjeti duke u djegur një makinë pranë fshatit Dermenas, dhe dyshohet se është mjeti me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Selami Hasani, i njohur dhe si Sel Çami kishte pak vite që kishte dalë nga burgu pasi kishte kryer dënimin me 25 vite burg për vrasjen e ndodhur më 25 mars 2002, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës” ku gjatë një shkëmbimi zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes, dhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit.
Foto: Nëndrejtori i policisë së Fierit, Alket Ahmeti
© SYRI.net