Reshjet e shiut dhe erërat e forta të regjistruara gjatë natës kanë shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike, rënie gurësh në rrugë dhe dëmtime të lokalizuara në disa qarqe të vendit mëngjesin e kësaj të hëne. Këto janë pamjet nga qarku i Kukësit, ku reshjet e shiut dhe era e fortë kanë sjellë rënie gurësh, inertesh dhe vërshime ujërash në rrugët nacionale dhe bashkiake. Subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe të gjitha akset nacionale raportohen të qarkullueshme, përfshirë edhe aksin Bajram Curri–Valbonë ku vijon ndërhyrja për heqjen e inerteve. Për sa i përket energjisë elektrike, pjesa më e madhe e qarkut furnizohet normalisht, por pa energji mbeten zona industriale në Kukës dhe disa njësi administrative. Probleme me energjinë ka edhe në bashkinë Tropojë dhe Has, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve.