Selami Hasani u ekzekutua me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në Fier.
Në një deklaratë për mediat nëndrejtori i policisë, Fier, Alket Ahmeti bëri me dije se Hasani, i njohur edhe me emrin “Sel Çami”, ishte duke punuar në murin rrethues së shtëpisë së tij.
Nga ngjarja e rëndë, nëndrejtori i policisë ka sqaruar se ka mbetur i lënduar nipi i viktimës, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 09:50 në sallën operative të drejtorisë së policisë Fier erdhi një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen nr 1 të Fierit. Policia ka konstatuar se ka ndërruar jetë një shtetas si dhe është plagosur një shtetas tjetër.
Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës që ka qenë duke punuar. Aty është plagosur dhe nipi I tij që po merr mjekimin në spitalin rajonal Fier” – informoi zyrtari policor.
Zona ku ndodhi ngjarja është e rrethuar me kamera, të cilat janë marrë nga grupi hetimor. Paraprakisht dyshohet se autorët kanë hyrë brenda oborrit të banesës duke kaluar murin rrethues.
Ata kanë qenë të maskuar, ndërsa makinat që u përdorën nga autorët u dogjën në dalje të qytetit. Kontrollet janë shtrirë edhe në qytetin e Vlorës, ku në akset kryesore janë ngritur pika kontrolli.














