Reshjet e shiut kanë sjellë probleme të shumta me furnizimin me energjinë elektrike në disa zona në veri të Shqipërisë. Situata më serioze paraqitet në Malësinë e Madhe.
Në një njoftim të bërë së fundmi, OSHEE Malësi e Madhe, ka bërë me dije se ka pasur ndërprerje të energjisë në zona si lugina e Shkrelit, Gruemirë, si edhe në fshatrat Buzë-Uji dhe Zagorë.
Ndërsa, mëngjesin e sotëm, pa energji elektrike kanë mbetur edhe banorët e një zone në Vermosh. Ndërkaq, OSHEE ka bërë me dije se grupet e punës janë në gatishmëri në terren, duke punuar për riparimin e këtyre defekteve.
Ndër të tjera, është theksuar se ndërhyrjet nga ana e punonjësve, po kryhet në kushte të vështira atmosferike. Si pasojë, vështirësohet edhe më shumë puna e ekipeve në terren.









