Futbollistët shqiptarë janë rikthyer te klubet e tyre pas përfundimit të grumbullimit me Kombëtaren dhe kanë vijuar të spikasin me paraqitjet e tyre në kampionatet përkatëse.
Kjo javë futbollistike u karakterizua nga kontributi i rëndësishëm i legjionarëve, me gola dhe asiste, ku disa prej tyre u bënë protagonistë në fitoret e skuadrave të tyre.
Në Poloni, Juljan Shehu realizoi golin e tij të parë për këtë sezon me fanellën e Widzew Łódź.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 52-të të transfertës ndaj Raków, me një goditje nga jashtë zone që u devijua dhe përfundoi në rrjetë, duke barazuar përkohësisht rezultatin në 1-1.
Në Itali, Cristian Shpendi vazhdon sezonin pozitiv me Çezenën. Sulmuesi shqiptar gjeti sërish rrugën e rrjetës në transfertën ndaj Veronës, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Ky ishte realizimi i tij i nëntë në kampionat, duke kryesuar aktualisht listën e golashënuesve të Serisë B.
Një tjetër protagonist në këtë javë ishte Taulant Seferi. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi golin e dytë për Kayserispor në fitoren 3-1 ndaj Sarıyer.
Seferi realizoi në minutën e 39-të, duke vijuar sezonin e tij mjaft pozitiv në Turqi, ku numëron 11 gola dhe dy asiste.
Në Slloveni, Indrit Tuci vendosi fatin e ndeshjes mes Olimpija Ljubljanës dhe Radomljes.
Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 44-t nga pika e penalltisë, duke i dhënë fitoren 1-0 skuadrës së tij. Me këtë realizim, Tuci shkon në kuotën e gjashtë golave në kampionat këtë sezon.
Një paraqitje të veçantë zhvilloi edhe Sabah Kerjota në Skoci. Futbollisti shqiptar ishte protagonist në fitoren e thellë 8-0 të Hearts në transfertën ndaj Dundee.
Kerjota zhbllokoi rezultatin në minutën e 23-të, realizoi për herë të dytë në minutën e 81-të dhe në fundin e takimit dhuroi edhe një asist, duke kontribuar drejtpërdrejt në tre gola të skuadrës së tij.
Kontribut me asist dha edhe Qazim Laçi në Turqi. Mesfushori i Kombëtares ishte protagonist në fitoren 2-0 të Rizespor ndaj Amedspor, duke dhënë pas një depërtimi në zonë asistin për Ali Sowe, i cili realizoi golin e dytë të takimit.
Ndërkohë, një tjetër futbollist shqiptar që vazhdon të spikasë në kampionatin polak është Kevin Dodaj.
Sulmuesi i Kombëtares U-21 shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1 të Lechia Gdańsk ndaj Odra Opole.
Dodaj realizoi në mënyrë spektakolare në fundin e ndeshjes, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të rëndësishme.
Përveç futbollistëve që u dalluan me gola dhe asiste, edhe një numër i konsiderueshëm lojtarësh të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre.
Nga minuta e parë e nisën Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Samuele Sina, Stavro Pilo, Kristjan Asllani, Feta Fetai, Ernest Muçi, Arbër Hoxha dhe Mirlind Daku, duke vijuar angazhimin e tyre në kampionatet ku aktivizohen.












