Nga Agim Xhafka - 11:59, 23/11/2026
1- VAJTJE-ARDHJE NË GREQI.
Kisha dy ditë që nuk dëgjoja zhurmë nga komshiu. U shqetësova ndaj i trokita te dera që në mëngjes. Por matanë heshtje. Më shkoi mendja për keq. Në fakt nuk hyra në të thella se më sqaroi pastruesja e shkallëve.
-Nesti me gruan kanë ikur në Greqi, do të rrinë atje tre muaj. Do të punojnë e nga shkurti i ke prapë këtu.
-Po babanë e paralizuar e morën me vete? -u llahtarisa.
-Jo, jo. E çuan te vëllai i Nestit, në Fier. Kur të kthehen do e marrin bashkë me vjehrrën e vëllait të Nestit.
-Pse me vjehrrën e vëllait? -e pyeta.
-Po se do të ikin ata në Greqi për tre muaj. Vëllai i Nestit me gruan pra. Do të punojnë atje. Vjehrrën nuk e lenë dot vetëm, ka humbur kujtesën murga. Kështu pra vjen një palë, ikën një palë.
Nga brenda shtëpisë sime dëgjohej zëri i tv deri te shkallët: “Buxheti i shtetit për 2027 do të jetë buxhet historik”. Fliste ai që ka mangut një dërrasë.
2-SHOFERI QË DREMIT.
Mora taksi për të shkuar te TEG-u. Më rastisi një shofer që i kishte 75 vjeç a më shumë. Sa kaloi digën e Liqenit dhe hyri te Unaza e Re e pashë në pasqyrë i kishte mbyllur sytë.
-Po fle ti, mo?!-u alarmova.
Ai qeshi.
-Jo mo, jo. Mos u tremb. Më ndodh ndonjëherë. Dremit veç nja 2 minuta mbi timon dhe fap zgjohem. Zgjohem shpejt. Në minutën e 3-të syrin e kam qiqër, filxhan dmth.
Në mbërritje më tha:
-Jam me diabet, i drobitur të bën ajo flamë. Po pensioni jo për ilaçe, por as për ushqim nuk më del andaj punoj.
M’u dhimbs.
-Mbaje kusurin, -i thashë me zemër.
3-LULESHITËSIT.
Sot te Blloku pashë një moshatarin tim që shiste çaj mali. Nuk bërtiste, veç çapitej rreth e qark rrugëve. U ndeshëm dy herë. Sa do të doja që tufa te dora t’i zvogëlohej, por nuk i eci. E megjithatë fytyra i qeshte. E kishte nga dielli, nga aroma e çajit apo nga karakteri i fortë? Se një burrë që shet çaj mali ka një mal me halle te shtëpia. E bash atë çast ndesha dhe një zonjë me një tufë lulesh në gjoks.
-Lum kjo për burrin që ka! Kavalier i vërtetë, që në mëngjes e paska gëzuar, -mendova.
-Bli një karafil zotni! Falja gruas në këtë ditë plot diell, dymijë bën! -më tha.
U stepa. Por vrulltazi nxora kuletën e ia hoqa pesë karafilë nga ngarkesa që mbante në kraharor. Sytë e saj ah, sa falenderime më dhanë! E u largua. Ashtu si moshatari im. me tufat e çajit. Rreth e përqark Bllokut çapiteshin duke tërhequr zvarrë dhe dhimbjet, hallet e tyre…
© SYRI.net