Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 14 nëntor të këtij viti në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi e dyshuar tritol shpërtheu në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje. Pas veprimeve hetimore është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, një 60-vjeçar, banues në Elbasan. Gjithashtu bëhet me dije se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për tre shtetase të cilat raportohet se janë fqinje me autorin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Sipas hetimeve, ato dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me 60-vjeçarin në momentin e kryerjes së ngjarjes dhe nuk e kanë kallëzuar krimin. Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar automjetin e përdorur ditën e ngjarjes si dhe katër aparate celularë.