Të hënën, Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur u takua me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë takimit u trajtuan procedurat për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe mënyra e funksionimit të Komisionit Qeveritar.
Të lidhura
None found
Kryetarja e këtij komisioni, Leonora Selmani, para deputetëve paraqiti një raport për veprimtarinë dhe përgjegjësitë e institucionit. Ajo bëri të ditur se komisioni ka nëntë anëtarë, të cilët shqyrtojnë kërkesat dhe dokumentet që paraqiten për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Selmani përmendi gjithashtu punën për hartimin dhe përditësimin e akteve ligjore e nënligjore, si edhe nismën për zgjatjen e mandatit të komisionit.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kam përgatitur një raport të shkurtër me shkrim. Siç përcaktohet me ligj, komisioni ka nëntë anëtarë. Detyra jonë është të shqyrtojmë kërkesat për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale dhe dokumentacionin që përdoret si provë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Kemi punuar intensivisht edhe për aktet nënligjore dhe rregullat e brendshme, të cilat kanë mbështetur punën e komisionit. Po ashtu, kemi kontribuar në plotësimin dhe ndryshimin e ligjit, ndërsa vazhdimi i mandatit të komisionit ishte një nismë e vetë institucionit”, deklaroi ajo.
Arton Konushevci, kryetar i Komisionit për Mirëqenie Sociale, pyeti nëse ndryshimet në përbërjen e Komisionit Qeveritar kishin ndikuar në punën dhe funksionimin e tij.
“A ka ndikuar ndërrimi i anëtarëve negativisht në komision, apo ka sjellë vështirësi në funksionimin e tij?”, pyeti Konushevci.
Psikiatri Shpend Haxhibeqiri u përgjigj se ndryshimet në përbërje nuk kishin krijuar pengesa në qasjen ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Sipas tij, anëtarët e komisionit kanë marrë pjesë në trajnime dhe kanë shkëmbyer përvoja me ekipe nga vende të ndryshme. Ai shtoi se anëtaret e reja janë përshtatur me punën dhe përgjegjësitë e institucionit.
“Kemi përfunduar të gjitha trajnimet dhe deri më tani kemi pritur ekipe nga shtete të ndryshme. Mendoj se baza e punës sonë ka mbetur e paprekur. Kolegët e rinj që janë bashkuar me ekipin kanë treguar vullnet për të mësuar e për të dëgjuar, ndaj nuk kemi hasur vështirësi për të ofruar qasjen e duhur ndaj të mbijetuarave, që është përparësia jonë”, tha Haxhibeqiri.
Pas fjalëve hyrëse të përfaqësuesve të Komisionit Qeveritar dhe pyetjeve të deputetëve, mbledhja vijoi pa praninë e mediave.








