Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka përfunduar veprime hetimore me metoda speciale në qytetin e Gramshit në kuadër të një procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i Kodit Penal.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës janë ushtruar kontrolle në banesat e disa shtetasve, ku është konstatuar dhe sekuestruar si provë materiale një sasi lëndësh të dyshuara narkotike: 560 gramë lëndë e dyshuar e llojit kokainë, 150 gramë lëndë e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, si dhe 0.62 gramë lëndë e dyshuar e llojit kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit T.H., 33 vjeç, dhe R.H., 39 vjeç, të dy të dyshuar për veprën penale nën nenin 283/2 të Kodit Penal. Për të dy ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale. Po ashtu, në zbatim të urdhrit të Prokurorit u ndalua shtetasi E.S., 46 vjeç, i dyshuar për të njëjtën vepër penale, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi A.J., 31 vjeç, po nën dyshimin për shkelje të nenit 283/2.
Hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së punonjësve të Policisë në këtë veprimtari, brenda të njëjtit procedim penal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se do të vazhdojë hetimet me profesionalizëm dhe pa kompromis ndaj paligjshmërisë, duke çuar përpara përgjegjësinë ligjore për çdo punonjës të strukturave policore që rezulton i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, pavarësisht funksionit apo detyrës që ai/ajo ushtron.
