Nga Daniel Hammond dhe Nick Fagge, DAILY MAIL
Një trafikant shqiptar droge u përpoq t’i shmangej dëbimit nga Britania, duke argumentuar se e dashura e tij kishte nevojë për të për ta ndihmuar të përballonte ADHD-në dhe ankthin.
Emigranti i paligjshëm Eugert Pulaj, 37 vjeç, u dënua me dy vjet e katër muaj burg, pasi u shpall fajtor për posedim të lëndëve narkotike të Klasit A me qëllim shitjen e tyre.
Por krimineli, i cili mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar nga Irlanda në vitin 2019, nisi një betejë ligjore për të drejtat e njeriut kundër urdhrit të Ministrisë së Brendshme për ta dëbuar në Shqipëri.
Pulaj, i cili u kap nga Policia e Qytetit të Londrës me 24 qese kokainë, tashmë pritet të deportohet, pasi ankesa e tij u rrëzua nga një gjykatës i emigracionit.
Ai argumentoi se largimi i tij nga Britania do të ishte një masë tepër e rëndë për të dashurën e tij rumune, e cila ka status të rregulluar qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar dhe vuan nga disa probleme të shëndetit mendor.
Çifti pretendoi se ishte emocionalisht i varur nga njëri-tjetri, ndërsa Pulaj i ofronte mbështetje të konsiderueshme partneres së tij për të përballuar çrregullimin e hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD), ankthin dhe depresionin.
Avokatët e tij argumentuan se mbështetja që ai i ofronte ishte aq e rëndësishme, saqë nuk mund të zëvendësohej me telefonata apo forma të tjera komunikimi.
Megjithatë, një gjykatës e rrëzoi këtë argument, duke vendosur në shtator se çifti mund ta vazhdonte marrëdhënien në Shqipëri ose të mbante kontakt përmes video-thirrjeve dhe vizitave.
Pulaj u shpall fajtor në prill të vitit 2024 dhe u dënua me burg në qershor të po atij viti.
Më pas, Ministria e Brendshme hodhi poshtë kërkesën e tij për të drejtat e njeriut dhe në tetor 2024 nxori një urdhër dëbimi, por Pulaj e kundërshtoi vendimin duke u bazuar te marrëdhënia e tij në çift.
Një gjykatës i gjykatës së emigracionit pranoi se çifti kishte një marrëdhënie të vërtetë dhe se Pulaj e ndihmonte të dashurën të menaxhonte problemet shëndetësore të diagnostikuara.
Edhe vajza e saj dëshmoi në mbështetje të marrëdhënies së tyre, ndërsa gjykatësi i konsideroi të besueshme dëshmitë e të dyja grave.
Por gjykata i dha peshë të konsiderueshme interesit publik për dëbimin e Pulajt, duke marrë parasysh hyrjen e tij të paligjshme në Britani, dënimin për drogë dhe një vepër tjetër penale të kryer gjatë periudhës së lirimit me kusht.
Gjykatësi konstatoi se Pulaj kishte në dispozicion një banesë familjare në Shqipëri, pavarësisht se të afërmit e tij ishin shpërngulur në Itali.
Prandaj, e dashura e tij mund ta shoqëronte në vendin e origjinës, ku të dy mund të vazhdonin të mbështesnin njëri-tjetrin, ose ajo mund të qëndronte në Britani.
Gjykatësi pranoi se asnjëra prej këtyre alternativave nuk do të ishte e lehtë për çiftin, por arriti në përfundimin se pasojat e dëbimit nuk do të ishin aq të rënda sa të justifikonin qëndrimin e Pulajt në vend.
Pulaj apeloi sërish, duke argumentuar se gjykata nuk kishte marrë sa duhet në konsideratë cenueshmërinë e së dashurës së tij dhe varësinë e saj nga mbështetja emocionale dhe fizike që ai i ofronte.
Avokati i tij, Eric Fripp, argumentoi gjithashtu se gjykatësi nuk kishte marrë mjaftueshëm në konsideratë një vlerësim, sipas të cilit Pulaj përbënte rrezik të ulët për të kryer sërish vepra penale.
Ministria e Brendshme e kundërshtoi apelin, duke argumentuar se gjykatësi i parë i kishte shqyrtuar siç duhej provat dhe kishte pasur të drejtë të arrinte në përfundimin se dëbimi nuk do të përbënte një masë tepër të rëndë.
Edhe gjykatësja Jill Frances ra dakord me këtë qëndrim, duke konstatuar se gjykata fillestare i kishte marrë parasysh rrethanat e çiftit.
Gjykatësja deklaroi: «Apeluesi dhe e dashura e tij mund ta vazhdonin jetën e tyre familjare në Shqipëri dhe përfundimi i gjykatësit se kjo nuk do të përbënte një masë tepër të rëndë ishte i mbështetur në provat që kishte në dispozicion».
Gjykata rrëzoi gjithashtu argumentin se nuk i ishte dhënë peshë e mjaftueshme rrezikut të ulët që Pulaj të kryente sërish vepra penale.
Gjykatësja Frances vendosi se ky vlerësim nuk ishte i mjaftueshëm për të tejkaluar interesin e konsiderueshëm publik për dëbimin e tij.
Gjykatësja arriti në përfundimin: “Konstatoj se në vendimin e gjykatësit, të datës 15 janar 2026, nuk ka pasur asnjë gabim thelbësor ligjor dhe, për rrjedhojë, e rrëzoj apelin e apeluesit”.
Ky rast vjen pas disa rasteve kur kriminelë dhe emigrantë janë përpjekur të përdorin si argument faktin se vuajnë nga ADHD-ja, për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Britani po pretendojnë se vuajnë nga kjo gjendje, pasi e kanë vetëdiagnostikuar bazuar në informacione të lexuara në rrjetet sociale.
© SYRI.net
Atentati në Fier/ Postblloqe e kontrolle intensive dhe në autostradën Fier – Lushnje
Atentati në Fier/ Sel Çami po ngrinte murin rrethues të oborrit kur u ekzekutua, Nëndrejtori i policisë: I plagosur mbeti nipi i viktimës
‘Tani janë shqiptarët që ia presin duart mafies/ Media siciliane: Ata kontrollojnë trafikun e kokainës