Ishte duke punuar në oborr, si u ekzekutua Selami Hasani në Fier, plumbat kapën edhe nipin Një ngjarje e rëndë kriminale e regjistruar më 25 mars 2002 në Fier lidhet me emrin e Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, i cili sot u ekzekutua në oborrin e banesës.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Selami Hasani u shpall fajtor për bashkëpunim në një vrasje të dyfishtë. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur “Sheshi i Valutës”, ku një automjet tip fuoristradë Mercedes-Benz, në të cilin ndodheshin Julian Isufi, (ose nipi i Arben Isufaj, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”), dhe Bledar Kastrati, u qëllua me armë zjarri.
Sipas dosjes gjyqësore, nga të shtënat mbetën të vrarë Julian Isufi dhe Esat Taze, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Sipas konkluzioneve të gjykatave, Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani kishin vepruar në bashkëpunim dhe kishin pasur një marrëveshje paraprake për realizimin e krimit. Ata kishin siguruar mjetet e nevojshme, përfshirë blerjen e automjetit dhe sigurimin e një arme automatike.
Në momentin e atentatit, Pëllumb Yzeiraj qëlloi me armë zjarri në drejtim të fuoristradës ku ndodheshin personat e shënjestruar. Ndërkohë, Selami Hasani zbriti nga automjeti dhe qëndroi pranë tij.
Pas të shtënave, të dy u larguan me të njëjtën makinë, e cila, sipas vendimit, u ndoq nga një automjet policie. Në vendimin e Gjykatës së Lartë përmendet se gjykatat e faktit e kishin cilësuar ngjarjen si një vrasje të kryer për shkak të hasmërisë. Megjithatë, mbrojtja e Selami Hasanit e kundërshtoi këtë përfundim, duke pretenduar se motivi i hakmarrjes nuk ishte provuar me prova konkrete.
Gjykata e Lartë vlerësoi se, për veprën penale për të cilën ishin dënuar të pandehurit, përcaktimi i motivit nuk ishte kusht i domosdoshëm për cilësimin ligjor të krimit, pasi ishin provuar rrethanat e tjera rënduese, vrasja e dy personave dhe kryerja e saj në një mënyrë që rrezikonte jetën e shumë njerëzve.
Në nëntor të vitit 2004, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier dënoi Pëllumb Yzeirajn me burgim të përjetshëm, ndërsa Selami Hasani u dënua me 25 vite burg. I akuzuari i tretë, Kujtim Hasanbasha, u dënua gjithashtu me 25 vite burg, por çështja ndaj tij u pushua më vonë për shkak të vdekjes.
Pas disa shkallëve gjykimi dhe rikthimit të çështjes për rishqyrtim, Gjykata e Lartë, me vendimin nr. 140, datë 17 shkurt 2010, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë, duke konfirmuar dënimin e Selami Hasanit me 25 vite burgim. Dënim i cili i ka përfunduar vetëm disa kohë më parë.
Pas ngjarjes së rëndë të vitit 2002, Selami Hasani qëndroi për disa vite në kërkim. Ai u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, gjatë një operacioni në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier. Gjatë kontrollit, sipas raportimeve të kohës, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pistoleta.
Vrasja e tij paraditen e kësaj të hëne rikthen në vëmendje konfliktin e hershëm me familjen e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Për momentin, pista e hakmarrjes mbetet një prej dyshimeve që po shoqërojnë hetimet, por autoritetet nuk kanë konfirmuar ende motivin e ekzekutimit dhe as lidhjen e drejtpërdrejtë të tij me ngjarjen e vitit 2002.
Pas ekzekutimit në lagjen “1 Maji”, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Vlorës. Në fshatin Dërmenas u gjet një automjet tip “Volvo” i djegur, i cili dyshohet se është përdorur në krim. Raportime të tjera flasin edhe për një automjet të djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, ndërsa policia po verifikon lidhjen e mjeteve me atentatin.
Në vijim të hetimeve janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore që lidhin Fierin me Vlorën, ndërsa grupi hetimor po administron pamjet e kamerave të sigurisë dhe po kryen veprimet për identifikimin e autorëve.
Selami Hasani u qëllua teksa po punonte në murin rrethues të banesës. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe nipi i tij, i identifikuar si Jakup Hasani, i cili u transportua në Spitalin Rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore.
Top Channel