Pas më shumë se 11 vitesh në krye të Drejtorisë së Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë, Zhaneta Beqiri u shkarkuar nga kjo dëtyrë vëtëm pak ditë më parë nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Beqiri ka mohuar që largimi i saj të ketë lidhje me auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke lënë të kuptohet se pas vendimit qëndrojnë arsye të tjera, të cilat nuk lidhen me përmbushjen e detyrave të saj. “Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot”, shkruan Beqiri. Pa dhënë detaje mbi arsyet që, sipas saj, çuan në shkarkim, ish-drejtoresha ka bërë një bilanc të punës së saj që prej gushtit të vitit 2015, kur mori drejtimin e institucionit. Ajo thekson se aktualisht 2 mijë e 333 punonjës kujdesen çdo ditë për rreth 13 mijë fëmijë në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit. Në përfundim të reagimit, Beqiri ka falënderuar stafin dhe prindërit për bashkëpunimin ndër vite, duke nënvizuar se funksionet janë të përkohshme, por përkushtimi dhe vlera e punës së bërë mbeten.