Gjendja shëndetësore e Jamal Musialës vijon të mbetet në qendër të vëmendjes në Gjermani. Talenti i Bayern Munich po përballet me vështirësi në procesin e trajtimit të episodeve epileptike të mungesës së vetëdijes, ndërsa sfida kryesore për mjekët është gjetja e dozës së duhur të medikamenteve, pa ndikuar në aftësitë fizike dhe sportive të futbollistit.
Për këtë situatë ka folur edhe profesori Christoph Kleinschnitz, drejtues i departamentit të neurologjisë në Spitalin Universitar të Essenit. Në një prononcim të raportuar nga gazeta “Bild”, ai ka shpjeguar se prioriteti mjekësor është parandalimi i episodeve të tjera ose, të paktën, reduktimi i shpeshtësisë së tyre.
“Nga pikëpamja mjekësore, prioritet duhet të jetë parandalimi i episodeve të tjera të humbjes së vetëdijes, ose të paktën reduktimi i tyre, pasi përsëritja e shpeshtë mund të shkaktojë dëmtime në strukturën e trurit”, është shprehur neurologu.
Sipas Kleinschnitz, vështirësia qëndron te përcaktimi i dozës së përshtatshme për çdo pacient. Një dozë e ulët mund të mos arrijë të kontrollojë episodet, ndërsa përdorimi i një sasie më të lartë të medikamenteve mund të sjellë efekte anësore, si lodhje, ngadalësim të reagimeve dhe probleme me koordinimin.
Për një futbollist të nivelit të Musialës, këto efekte mund të jenë veçanërisht problematike, pasi shpejtësia, reagimi dhe koordinimi motorik janë elementë thelbësorë të lojës së tij.
Objektivi i mjekëve është të gjejnë atë që në terminologjinë mjekësore quhet “Sweet Spot”, pra dozën ideale të medikamenteve, e cila kontrollon episodet neurologjike dhe njëkohësisht minimizon efektet anësore.
Neurologu ka theksuar gjithashtu se format e epilepsisë nuk janë të pazakonta te të rinjtë, ndërsa problemet e këtij lloji prekin rreth 0.5 deri në 1 për qind të popullsisë.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “Sport1”, Musiala ka përjetuar një tjetër shqetësim shëndetësor të hënën e kaluar, pas ndryshimeve në dozën e medikamenteve. Më pas, mjekët kanë ndërhyrë duke përshtatur sërish trajtimin, me qëllim stabilizimin e gjendjes së tij.
Futbollisti ishte rikthyer në fushë të premten e kaluar, në përballjen ndaj FC Koln, ku u aktivizua për rreth 20 minuta në ndeshjen që përfundoi në barazimin 1-1.
