Konjufca në takimin e kryediplomatëve të Ballkanit Perëndimor në Athinë
Takimi ministror i grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe Partnerët e Ballkanit Perëndimor” mbahet sot, më 23 nëntor 2026, në Athinë të Greqisë, ku në emër të Kosovës merr pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Takimi organizohet me iniciativën e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, ndërsa në fokus të diskutimeve do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Greqisë, diskutimet do të përqendrohen edhe te forcimi i sundimit të ligjit, qeverisja demokratike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, si vlera themelore evropiane të riafirmuara në Deklaratën e Delfit, të miratuar më 23 prill 2026.
Në këtë takim pritet të shqyrtohet edhe mundësia e shfrytëzimit të ekspertizës së Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (ODIHR), në mbështetje të reformave në vendet e rajonit dhe të përparimit të tyre drejt integrimit evropian.















