Kabayel provokon Hysën para duelit: Flet shumë, do të shohim a di të boksojë kaq mirë

23 Nëntor 2026
12:40
Telesport
back button

Më 28 nëntor, në Duseldorf të Gjermanisë, do të zhvillohet dueli i peshës së rëndë në boks (kategoria WBC) mes kampionit në fuqi, gjermanit Agit Kabayel dhe shqiptarit Nelson Hysa. Të dy boksierët janë të pamposhtur në karrierën e tyre.

Kabayel (27 fitore, 0 humbje) është një boksier me goditje të fuqishme dhe aftësi për të fituar me knockout, ashtu sikurse Nelson Hysa (25 fitore, 0 humbje), që dallohet për fitore me KO në ring.

Deklarata e shqiptarit se do të jetë në qendër të vëmendjes të shtunën mbrëma, kur ai të hyjë në ring në territorin e kundërshtarit, nuk e shqetëson shumë Kabayel, që tha: “Ai flet shumë. Flet plot broçkulla, por kjo është situata”.

“Ai ka treguar mungesë respekti. Tha se unë kisha frikë dhe se nuk e kisha dëgjuar kurrë emrin e tij. Jam gati për gjithçka, por do të shohim. Kam taktika të mira dhe stërvitem shumë fort. Më 28 nëntor, ai duhet të luftojë, dhe unë do ta vë në provë në ring. Le të shohim nëse di vetëm të flasë, apo di edhe të luftojë“, tha Kabayel.

Më tej, Kabayel tha: “Dua vetëm ndeshje të mëdha, por asnjë nga emrat e mëdhenj nuk është i disponueshëm. Tani do t’i mësoj atij respektin. Fokusi im aktual është te Nelsoni”.

“Por, pas kësaj ndeshjeje, vjen dueli për bashkimin e titujve. Kjo është ëndrra ime. I dua të gjithë brezat. Jam përballur me të gjithë dhe do ta sfidoj sërish veten; e atëherë do të shohim se kush është ‘lepuri’ që largohet”, tha Kabayel.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit