Besnikëri dhe sukses, Simeone arrin një rekord të jashtëzakonshme me Atleticon
Diego Simeone ka hyrë zyrtarisht në historinë e futbollit spanjoll. Trajneri argjentinas është bërë tekniku me më shumë fitore në historinë e La Liga-s, duke arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 345 triumfesh, të gjitha në drejtimin e Atletico Madrid.
Rekordi historik u arrit pas fitores 3-0 ndaj Getafes, në një ndeshje ku skuadra madrilene siguroi tri pikët, ndërsa trajneri i saj shkroi një tjetër kapitull të artë në karrierë.
Simeone e ka arritur këtë shifër në 567 ndeshje në kampionatin spanjoll, duke lënë pas legjendën Luis Aragonés, i cili mbante rekordin e mëparshëm me 344 fitore.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë arritje është fakti se të gjitha fitoret janë regjistruar në stolin e vetëm një skuadre: Atletico Madrid. Një histori besnikërie, vazhdimësie dhe suksesi që prej ardhjes së tij në krye të ekipit madrilen në vitin 2011.
Gjatë kësaj periudhe, trajneri argjentinas ka fituar tetë trofe me Atletico Madrid, mes tyre dy tituj kampionë të Spanjës, duke e kthyer klubin në një nga forcat kryesore të futbollit evropian.
Pas ndeshjes, Simeone nuk e mbajti vetëm për vete këtë arritje, por ndau meritat me futbollistët, stafin teknik, drejtuesit dhe tifozët që e kanë shoqëruar gjatë gjithë kësaj periudhe.
Një rekord që konfirmon madhështinë e Diego Simeones dhe vendin e tij mes trajnerëve më të rëndësishëm në historinë e futbollit spanjoll.




