Ndërsa vijojnë pikëpyetjet për të ardhmen e forcave amerikane në Kosovë, Gjermania bëri të ditur se po mban kontakte të vazhdueshme me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s lidhur me KFOR-in. Berlini nuk sqaroi nëse në këto bisedime është trajtuar posaçërisht mundësia e pakësimit të trupave amerikane.
Një burim i Radios Evropa e Lirë ka raportuar për një plan që parashikon uljen e ndjeshme të numrit të ushtarëve amerikanë në Kosovë: nga rreth 650 që janë aktualisht, në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028. Ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe as SHBA-ja, as NATO-ja nuk e kanë bërë publikisht të ditur se ekziston një plan i tillë.
Të lidhura
None found
Debati për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë u zhvillua më 17 nëntor në Bruksel, gjatë konsultimeve të aleatëve të NATO-s me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby. Synimi i Uashingtonit është që vendosja e forcave të përshtatet me përparësitë globale, ku përfshihet edhe rajoni Indo-Paqësor, pa qenë kjo shenjë e tërheqjes nga angazhimet në Evropë.
NATO-ja ka njoftuar se prania e saj në Kosovë do të përshtatet gradualisht, me synimin për t’u kthyer në nivelet e para vitit 2023. Atë vit, pas tensioneve në veri dhe sulmit në Banjskë, në Kosovë u dërguan përforcime. Në KFOR aktualisht shërbejnë mbi 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere. Çdo reduktim do të mbështetet në vlerësimet e sigurisë dhe mund të ndalet nëse gjendja në terren përkeqësohet.
Pyetjes nëse Gjermania do ta rriste kontributin në rast të pakësimit të forcave amerikane, Berlini nuk iu përgjigj me ndonjë zotim konkret. Megjithatë, parlamenti gjerman miratoi zgjatjen e mandatit të trupave të vendit në KFOR, duke autorizuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve.
Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes i tha Radios Evropa e Lirë se, për arsye sigurie, hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike. Forcat amerikane ndodhen në Kosovë që nga viti 1999 dhe drejtojnë Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, e cila ka selinë në kampin Bondsteel, pranë Ferizajt.
NATO-ja ka ritheksuar se, pavarësisht riorganizimeve të paralajmëruara, mandati i KFOR-it dhe angazhimi i aleancës për sigurinë e stabilitetin e Kosovës nuk ndryshojnë.








