E hënë, 23 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

‘Vdekja ju pret’! Kërcënime me bomba në qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë

Mbi 450 shkolla në Gjermani, si dhe një numër i madh institucionesh arsimore në Danimarkë, kanë marrë këtë të hënë email-e kërcënuese për vendosjen e bombave. Mesazhet kanë pasur të njëjtën përmbajtje dhe titullin shqetësues: “Vdekja ju pret”.

Sipas policisë së Freiburgut, kërcënimet janë dërguar në më shumë se 450 shkolla në të gjithë Gjermaninë. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e autorit të mesazheve, ndërsa deri më tani nuk i konsiderojnë kërcënimet të besueshme.

Edhe policia daneze konfirmoi se ka marrë njoftime të shumta për vendosjen e bombave në shkolla në të gjithë vendin, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Autoritetet deklaruan se aktualisht nuk ka arsye për evakuimin e institucioneve arsimore apo për marrjen e masave të posaçme të sigurisë.

Këto incidente vijnë në një kohë kur disa vende europiane janë përballur javët e fundit me kërcënime të ngjashme për bomba në shkolla dhe avionë, si dhe me sulme kibernetike ndaj sistemeve të supermarketeve.

Vetëm javën e kaluar, më shumë se 10 shkolla u evakuuan në Spanjë pas kërcënimeve për bomba, ndërsa në fillim të nëntorit raste të ngjashme u regjistruan edhe në Itali. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që këto incidente të jenë pjesë e një fushate të luftës hibride, por deri tani nuk ka prova që e konfirmojnë këtë dyshim.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.