Vrasja e Selami Hasanit në Fier ka vënë në lëvizje policinë, e cila ka shtuar kontrollet në disa qytete me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Pas atentatit me armë zjarri, ku mbeti i vrarë Hasani dhe u plagos vëllai i tij, policia ka ngritur pika kontrolli në Lushnjë dhe Vlorë.
Në Lushnjë, kontrollet janë përqendruar në zonën e autostradës, si dhe në disa pika të tjera, ku efektivët po ndalojnë automjetet për verifikime.
Ndërkohë, Policia e Vlorës ka ngritur postblloqe në hyrje të qytetit. Efektivët po ndalojnë dhe kontrollojnë automjetet që qarkullojnë në këtë aks, si dhe po verifikojnë personat që hyjnë në qytet.
Masat janë ndërmarrë pas ngjarjes së regjistruar në Fier, ndërsa kontrollet synojnë identifikimin e personave të dyshuar dhe parandalimin e largimit të mundshëm të autorëve.
Sipas informacioneve paraprake, Selami Hasani dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e nipit të Ben Qimes, i njohur në zonë për përfshirjen në ngjarje problematike.