Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se Endrit Azemi, tashmë i arrestuar, dyshohet se e kishte sajuar historinë e sëmundjes më 9 nëntor 2026, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm financiar.
Për të mbledhur paratë, ai kishte hapur një fushatë në platformën online “GoFundMe”, përmes së cilës kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët në Kosovë dhe bashkatdhetarët në diasporë, duke pretenduar se fondet do t’i shërbenin për shërim dhe rehabilitim.
Sipas Prokurorisë, shuma e grumbulluar përmes kësaj fushate arrin në 189 mijë e 206 euro e 8 cent. Megjithatë, pas verifikimit të historikut të tij shëndetësor, autoritetet kanë konstatuar se i dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.
Familjarët e tij kishin kërkuar ndihmë edhe drejtpërdrejt nga qytetarët në Gjilan, duke vendosur një pikë grumbullimi të donacioneve në sheshin e qytetit.
Madje, motra e Endrit Azemit kishte bërë thirrje publike përmes rrjeteve sociale, duke iu kërkuar qytetarëve që të kontribuonin financiarisht për shërimin e tij. Ajo u ishte drejtuar qytetarëve me apel emocional, duke kërkuar ndihmë për të shpëtuar jetën e vëllait. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, verifikimet e kryera kanë ngritur dyshime se pretendimet për sëmundjen nuk qëndronin dhe se i dyshuari nuk vuante nga leukemia akute.
Pas marrjes së informacioneve për rastin, Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore dhe ka urdhëruar bllokimin e parave të grumbulluara në llogaritë bankare të identifikuara.













