Shqiptarët që jetojnë në Norvegji janë përfshirë në kategorinë e emigrantëve “joperëndimorë”, të cilën Partia e Progresit (FrP) e përdor në propozimet e saj politike për emigracionin dhe integrimin.

Sipas mediumit norvegjez Utrop, kjo parti ka propozuar vendosjen e një kontrate të detyrueshme integrimi për refugjatët, azilkërkuesit dhe personat që bashkohen me familjarët e tyre në Norvegji, duke iu referuar veçanërisht emigrantëve nga vendet joperëndimore.


I pyetur se cilat shtete përfshihen në këtë kategori, deputeti i FrP-së, Erlend Wiborg, përmendi grupin e tretë të vendeve sipas klasifikimit të Statistikave të Norvegjisë (SSB), ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria, krahas Ukrainës, Rusisë, Sirisë, Pakistanit, Brazilit dhe vendeve të tjera.

Kjo nënkupton se edhe shqiptarët që jetojnë në Norvegji përfshihen në këtë klasifikim, pavarësisht se termi “joperëndimor” nuk ka një përkufizim të qartë dhe zyrtar në statistikat aktuale norvegjeze, transmeton Telegrafi.

SSB ka sqaruar se që nga viti 2008 nuk përdor më zyrtarisht ndarjen e vendeve në perëndimore dhe joperëndimore, pasi këto terma mund të krijojnë paqartësi dhe nuk përcaktojnë saktësisht kufijtë gjeografikë apo kulturorë.

Ndërkohë, FrP e arsyeton propozimin e saj me nevojën për të forcuar integrimin dhe për të luftuar dukuri si kontrolli negativ social dhe dhuna e lidhur me nderin familjar.

Propozimi për kontratën e detyrueshme të integrimit u shqyrtua në Parlamentin norvegjez më 10 nëntor, por nuk mori mbështetjen e shumicës dhe u rrëzua. /Telegrafi/