5,45 miliardë lekë për kulturën/ Buxheti 2027 parashikon 80% më shumë fonde për trashëgiminë kulturore dhe muzetë

23/11/2026 13:15

5.45 miliardë lekë janë parashikuar për kulturën në buxhetin e vitit 2027.

Një rritje të ndjeshme prej 80% përfiton trashëgimia kulturore dhe muzetë, me qëllim ruajtjen e historisë dhe rijetëzimin e monumenteve.

Parashikohet ndërhyrje në shkallë kombëtare nga veriu në jug. Me interes është dhe programi i kullave që përfshin katër qarqe: Dibrën, Shkodrën, Lezhën dhe Kukësin, ku shumë nga këto kulla do të rijetëzohen.

Me fondin për kulturën, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon restaurimin e disa muzeve kombëtare, por edhe muzeve në varësi të Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.

Zv/ ministrja e Kulturës, Lira Pipa, ka deklaruar, se kemi në plan ndërhyrjen në Muzeun e Krujës dhe Muzeun Pavarësia, që ka qenë në konsultim publik. Kemi parashikuar edhe një ekspozitë muzeale në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Pyetjes nëse do të ketë rritje të burimeve njerëzore, pasi sidomos gjatë verës, kur ka pasur fluks turistësh, është vënë re mungesa e stafit?

Ajo i është përgjigjur se, janë parashikuar 70 vende të reja pune, që i adresohen institucioneve artistike dhe kulturore.

Galeria Kombëtare e Arteve dhe Qendra e Kulturës për Fëmijë pritet të hapë dyert vitin e ardhshëm, ndërsa punimet do të vijojnë për Muzeun Kombëtar.

Ndërkohë, pritet të hyjë në fuqi Fondi Kombëtar për Artin, që do të përdorë 10% të kursimeve nga tenderët për të blerë vepra arti në ankandet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Zv/ministrja tha se, këtë vit kemi pasur fonde të alokuara për blerjen e koleksionit të fotografit Gjon Mili. Kemi dhe një parashikim për blerjen e veprave të ndryshme nga artistët shqiptarë në fondin e Galerisë së Arteve

Gjatë javës që lamë pas, u hodh për konsultim publik edhe reforma për artin dhe kulturën, që u jep mundësinë institucionet kulturore të mbajnë 90% të të ardhurave të gjeneruara, nga 30% që mbajnë aktualisht, si një hapësirë më shumë për autonomi profesionale dhe artistike.

Top Channel