Përfitoi 190 mijë euro nga donacionet duke pretenduar se vuante nga leukemia, lihet në burg shqiptari në Kosovë, si funksionoi “skema” e mashtrimit

23/11/2026 13:23

Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur të lërë për një muaj në paraburgim Endrit Azemin, i dyshuar për mashtrim.

Abazi dyshohet se ka përvetësuar rreth 190 mijë euro, nën pretendimin se vuante nga leukemia akute dhe se kishte nevojë për trajtim jashtë vendit.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Endrit Azemit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se nga 9 deri më 21 nëntor 2026, përmes paraqitjes së rreme se vuante nga leukemia akute, ka arritur të grumbullojë gjithsej 189 mijë e 206 euro e 80 cent nga qytetarë të ndryshëm.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se i pandehuri kishte prezantuar dokumentacion të dyshuar si të falsifikuar, të cilin pretendohet se e kishte marrë nga spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë, duke pretenduar se do t’i nënshtrohej trajtimit për sëmundjen.

Sipas të njëjtit burim, përmes platformës së mbledhjes së fondeve “GoFund” janë grumbulluar 162 mijë e 522 euro, ndërsa përmes aktiviteteve të organizuara nga familjarët dhe persona të tjerë në qytetin e Gjilanit janë mbledhur edhe 26 mijë e 684 euro e 80 cent.

Prokuroria dyshon se këto veprime u kanë shkaktuar dëm material qytetarëve të ndryshëm, ndërsa i pandehuri ka krijuar përfitim të kundërligjshëm pasuror për vete.

Veprimet për të cilat dyshohet Endrit Azemi, cilësohen si vepër penale e mashtrimit, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke konstatuar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Top Channel