Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzon SPAK-un për standard të dyfishtë në çështjen e izh-zv.kryeministres Belinda Ballukut. Sipas tij, prokuroria duhej t’i kërkonte sërish Kuvendit heqjen e imunitetit pasi iu shtuan akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Bardhi kërkoi gjithashtu sqarime se ku ndodhen arkat e kuqe me euro që, përmenden në dosje se ishin në vilën e Ballukut. Në intervistën për Report Tv, Bardhi tha se SPAK e trajtuar Ballukun “me preferencë nga SPAK-u, si bashkëpunëtore e afërt dhe nën mbrojtjen e Ramës”.

“Jam i moderuar, mbështes institucionet në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mënyrë koherente, sa herë kam konstatuar devijime nga ligji, kam zgjedhur të flas me fakte konkrete. Në rastin e Ballukut, SPAK-u ka ndryshuar standard. Për mua, standardet e dyfishta në çështje të caktuara përbëjnë problem, sepse cenojnë parimin e barazisë para ligjit.

Në dhjetor kërkuan heqjen e imunitetit. Asokohe akuza ishte një, shkelje e barazisë në tenderë. Në kohën kur iu shtuan edhe katër akuza të tjera, SPAK-u refuzoi t’i ridrejtohej Kuvendit për heqjen e imunitetit. Nuk është qëllim që Balluku të shkojë në burg në shtator të 2026-s apo të 2027-s. Ndryshe nga rasti i qytetarëve të tjerë, që të kryejë hetime të plota për një deputet, SPAK-u duhet t’i kërkojë autorizim Kuvendit për kontrollin personal dhe kontrollin e banesës. Do të thotë që Ballukut t’i kontrollohet telefoni celular.

SPAK-u pretendon dhe ka indicie që në vilë kishte arka të kuqe me euro, që janë para korrupsioni. Sot opinioni publik nuk e di ku ndodhen këto arka të kuqe me euro, se ato nuk janë para të pagës. SPAK-u nuk e di, se në dosjen që ka shkuar në gjykatë, SPAK-u nuk na thotë ku janë arkat e kuqe me euro. Ngre pretendimin që janë te vila, por kur ka bërë kontrollin, nuk i ka rezultuar që gjendeshin ende atje. Kontrolli është bërë në mars, ndërkohë që fotot ishin bërë shumë kohë më parë. S’ka bërë kontroll në banesë. Për të bërë kontrollin, duhej t’i drejtohej Kuvendit për heqjen e imunitetit.

Së treti, s’më qëndron argumenti që ka dhënë SPAK-u. Për herë të parë në historinë e këtij vendi, SPAK-u ka thënë që standardin e hetimit ma cakton Taulant Balla. Ka pasur një konferencë të posaçme të drejtuesit të SPAK-ut, Brahos, dhe dy prokurorëve, ku është thënë se interpretimi që Balla dhe katër kolegë të tij i kanë bërë në Këshillin e Mandateve nenit [numri i nenit është i paqartë në transkript] s’na lejonte t’i drejtoheshim Kuvendit. Ne mendojmë që është i gabuar, por kemi zbatuar atë interpretim që ka dhënë Balla. Ndërkohë, raporti i Ballës dhe i kolegëve të PS-së s’ka asnjë vlerë juridike për SPAK-un. Ajo që ka vlerë për prokurorinë është vendimi i Kuvendit.

Kryeministri ka thënë shprehimisht se akuza e ardhur në Kuvend është vetëm për shkelje të barazisë në tenderë. ‘Nëse kërkesa do të ishte për korrupsion, ne s’do ta rrëzonim’, ka thënë kryeministri. Kur zonjës Balluku iu shtuan akuzat për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë, pse nuk iu ridrejtua Kuvendit SPAK-u, me të njëjtin standard që ka ndjekur për persona të tjerë?

Ka sjellë kërkesë për Ahmetajn me një të dhjetën e akuzave që ka Balluku, ka futur Veliajn në paraburgim me një të pestën e akuzave që ka Balluku, ka futur në paraburgim Metën me një të njëqindtën e akuzave që ka sot Balluku. Është shërbim ndaj publikut dhe jo sulm ndaj SPAK-ut që këto të vërteta t’i themi kështu siç janë. Balluku është trajtuar me preferencë nga SPAK-u, si bashkëpunëtore e afërt dhe nën mbrojtjen e Ramës”, tha Bardhi në Report Tv.


Lajmi kryesor:

Buxheti 2027, Bardhi në Report Tv: Gati amendamentet e PD, nga nesër nis prezantimi! Këtë javë çojmë në Kushtetuese hartën e re territoriale