Vendosni fjalën kyçe....

Vodhën gjashtë biznese në Elbasan dhe Tiranë, arrestohen dy persona



Dy persona, 39 dhe 18 vjeç, janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Shëtitësit”, pasi dyshohen për vjedhjen e gjashtë bizneseve në Elbasan dhe Tiranë. Sipas policisë, ata kanë vepruar në bashkëpunim, duke marrë shuma parash dhe produkte të ndryshme nga dyqane, lokale dhe subjekte të tjera.

Operacioni u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan, pas hetimeve të bazuara në këqyrjen e pamjeve filmike dhe grumbullimin e provave ligjore.

Në Elbasan, dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer tri vjedhje gjatë muajit nëntor. Më 22 nëntor, ata dyshohet se kanë vjedhur në një dyqan në lagjen “28 Nëntori”, më 20 nëntor në një tabakino në bulevardin “Aqif Pasha” dhe më 5 nëntor në një lokal në fshatin Vidhas.

Ndërkohë, 18-vjeçari dyshohet se është përfshirë edhe në tri vjedhje të tjera në Tiranë. Sipas policisë, ngjarjet kanë ndodhur më 14 tetor në dy subjekte në rrugën e Kosovarëve dhe më 17 nëntor në një dyqan në rrugën “Liman Kaba”.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pistoletë sportive, një kaçavidë dhe një levë. Sipas hetimeve, këto mjete dyshohet se përdoreshin për hapjen me forcë të dyerve të bizneseve.

Nga hetimet rezultoi se të dy të arrestuarit kishin precedentë kriminalë për vjedhje. Gjithashtu, 18-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariatet e Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 në Tiranë, si dhe nga Komisariati i Policisë Korçë, për vepra penale të së njëjtës natyrë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.