Komisioni i Venecias i është përgjigjur kërkesës së Kuvendit, duke njoftuar se më 25 nëntor do të dërgojë dy ekspertë për të asistuar në procesin e reformës zgjedhore. Ndërkohë, OSBE/ODIHR ende nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare. Për momentin nuk pritet të ketë një mbledhje të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, pasi fillimisht do t’u lihet hapësirë ekspertëve të shqyrtojnë propozimet ligjore. Në fokus të punës së tyre do të jenë ligji për financimin e partive politike, ndryshimet në shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë, si dhe paketa e propozuar nga Partia Demokratike për ndarjen e shtetit nga partia. Pas kësaj faze pritet të vijojë diskutimi i nismave në komision. Kujtojmë se një javë më parë, në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, mazhoranca dhe opozita arritën dakordësinë për t’i kërkuar Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të asistojnë në shqyrtimin e propozimeve dhe hartimin e ndryshimeve ligjore në kuadër të reformës zgjedhore.