Sistemi i shpejtë i pagesave, me anë të cilit qytetarët do të kryejnë transferta brenda 10 sekondash, ka nisur zbatimin në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit. Qytetarët dhe bizneset në vend do të realizojnë pagesa apo transaksione online brenda disa sekondash.
Nëse më parë kalimi i parave mund të zgjaste disa ditë, me hyrjen në përdorim të TIPS Clone, pagesat elektronike në Shqipëri do të kryhen në kohë reale edhe në ditë pushimi. Ekonomia shqiptare pritet të përfitojë rreth 400 milionë euro kursime.
Aksesi do të jetë nëpërmjet aplikacioneve online të bankave, kundrejt komisioneve minimale. Qytetarët mund ta përdorin këtë sistem për të kryer pagesa të ndryshme, duke nisur që nga faturat e energjisë, ujit apo në restorante.
“Kemi dy vite që po punojmë me këtë sistem dhe prova na rezultoi e suksesshme. Shqipëria është në rrugën drejt integrimit dhe ne kemi objektiv formalizimin e ekonomisë, e cila nxitet më së shumti nga pagesat digjitale. Aktualisht jemi pjesë e SEPA, që ofron pagesa më të shpejta, dhe tashmë kemi një tjetër sistem për pagesa të shpejta brenda vendit, i cili do të ndihmojë në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë”, tha Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko.
Platforma TIPS Clone u mundëson bizneseve të kryejnë pagesa dhe transferta parash në kohë reale, brenda pak sekondash, edhe jashtë orarit zyrtar të bankave.
Ofrimi i kësaj mundësie për kryerjen e pagesave të shpejta pritet të ulë njëkohësisht edhe përdorimin e parave CASH, duke sjellë përfitime të konsiderueshme edhe për ekonominë.

