Mashtroi qytetarët se vuante nga leukemia dhe përfitoi 190 mijë euro, arrestohet i riu në Gjilan
Endrit Azemi është arrestuar në Gjilan, pasi dyshohet se ka mashtruar qytetarët e Kosovës dhe diasporën, duke pretenduar se vuante nga leukemia akute. Përmes donacioneve të mbledhura për kurimin e tij, dyshohet se ka përfituar rreth 190 mijë euro.
Fushata për mbledhjen e parave u zhvillua në platformën “GoFundMe”, por edhe përmes kontributeve të qytetarëve në sheshin e Gjilanit. Shumë persona dhuruan para, duke besuar se po ndihmonin në trajtimin e sëmundjes së të riut.
Edhe motra e tij, Kosovare Azemi, kishte bërë thirrje publike për ndihmë, duke kërkuar që qytetarët të kontribuonin sipas mundësive të tyre.

Megjithatë, pas verifikimeve, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konstatuar se i riu nuk vuante nga leukemia, sëmundja për të cilën ishte kërkuar ndihma financiare.
Sipas Prokurorisë, Endrit Azemi dyshohet se kishte sajuar historinë e sëmundjes që prej 9 nëntorit 2026, me qëllim përfitimin e parave në mënyrë të paligjshme.
Nga fushata dyshohet se janë mbledhur gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent. Pas nisjes së hetimeve, Policia dhe Prokuroria kanë arritur të bllokojnë paratë në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara.
I riu u arrestua më 21 nëntor, rreth orës 22:00. Me vendim të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Gjilan me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Rasti po hetohet për veprën penale të “Mashtrimit”, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Kosovës.




