HPV dhe kanceri i qafës së mitrës/ Studimi i ri zbulon kur rritet rreziku, çfarë duhet të dinë gratë

23/11/2026 13:57

Një studim i ri shkencor sjell të dhëna për lidhjen mes infeksionit të vazhdueshëm nga virusi HPV dhe zhvillimit të lezioneve parakanceroze në qafën e mitrës.

Sipas studiuesve, jo vetëm prania e virusit, por edhe mënyra se si ndryshon ngarkesa e tij me kalimin e kohës, mund të jetë një tregues i rëndësishëm i rrezikut.

Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Cancer, të Shoqatës Amerikane të Kancerit, përfshiu 624 gra me infeksion të vazhdueshëm nga HPV. Gratë u ndoqën nga studiuesit për të analizuar ndryshimet e sasisë të virusit dhe lidhjen e tyre me shfaqjen e ndryshimeve në qafën e mitrës.

Sipas rezultateve, u identifikuan katër modele të ndryshme të ecurisë së sasisë të virusit. Rreziku më i lartë u vu re te gratë tek të cilat sasia e virusit rritej gradualisht ose mbetej vazhdimisht në nivele të larta.

Të dhënat treguan dallime të konsiderueshme mes katër grupeve të grave: 10,9% e grave me ngarkesë virale vazhdimisht të ulët zhvilluan lezione parakanceroze, 17,8% e grave me ngarkesë virale mesatare, por në rënie, shfaqën ndryshime të tilla, 74,2% e grave me rritje të moderuar të ngarkesës virale zhvilluan lezione parakanceroze, 90,4% e grave me ngarkesë virale vazhdimisht të lartë shfaqën lezione parakanceroze.

Sipas autorëve, ndjekja e ndryshimeve të ngarkesës virale me kalimin e kohës mund t’i ndihmojë mjekët të identifikojnë më mirë gratë që kanë nevojë për monitorim më të kujdesshëm.

Studiuesit theksojnë se dy gra mund të kenë nivele të ngjashme të HPV-së në një moment të caktuar, por rreziku i tyre mund të jetë i ndryshëm në varësi të mënyrës se si ndryshojnë këto nivele gjatë kohës.

Gjetjet mund të kontribuojnë në krijimin e strategjive më të personalizuara të ndjekjes dhe parandalimit të sëmundjeve të qafës së mitrës.

Është e rëndësishme të theksohet se prania e HPV-së nuk do të thotë automatikisht se një grua do të zhvillojë kancer. Gjithashtu, lezione parakanceroze nuk janë e njëjta gjë me kancerin.

Kontrollet gjinekologjike, testi HPV dhe Pap-testi, sipas rekomandimit të mjekut, mbeten të rëndësishme për zbulimin dhe parandalimin e ndryshimeve në qafën e mitrës.

Top Channel