Prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Kosovë po hyn në një fazë rishikimi, ndërsa Uashingtoni po vlerëson shpërndarjen globale të forcave të tij në Europë dhe rajonin e Indo-Paqësorit. Ministria gjermane e Mbrojtjes ka konfirmuar se Berlini është në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës KFOR. Një zëdhënës i ministrisë vlerësoi rolin e rëndësishëm të forcave amerikane në Kosovë, por nuk pranoi të sqaronte nëse po diskutohet konkretisht reduktimi i kontingjentit, duke u shprehur se detajet e planifikimit nuk bëhen publike për arsye sigurie.