Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se negociatat me partitë opozitare për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjet e 9 majit do të zhvillohen me synimin për të krijuar një front të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama.
I pyetur nëse është dakord që kandidati për Bashkinë e Tiranës të vijë nga radhët e protestës, Berisha tha se në protestë kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike, por edhe qytetarë pa parti, duke e cilësuar atë si një bashkim të paprecedentë.
Ai theksoi se përzgjedhja e kandidaturës duhet të bëhet pa paragjykime dhe duke pasur si kriter interesin e qytetarëve të Tiranës.
“Ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur identitetin e tyre, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta. Të gjithë shkuan aty për largimin e Ramës. Ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forca në interesin e tij dhe të partisë për t’u bashkuar në një front”, tha Berisha ne nje konference me gazetaret.
Berisha deklaroi se opozita duhet të arrijë një marrëveshje të gjerë, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë të përcaktojnë nëse e konsiderojnë qeverisjen e Ramës një rrezik ekzistencial për vendin.
“Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forcë në interesin e tij dhe të partisë të bashkohemi në një front”, deklaroi ai.













