Dy dronët që fundosën korvetën Merkury dhe goditën anijen tregtare ruse në portin e Bengazit, në Libi, u lëshuan nga një bazë në Libinë perëndimore, ku operon personeli ushtarak ukrainas. RBC Ukraina e raporton këtë, duke cituar një raport nga Instituti për Studimin e Luftës (ISË), grupi kërkimor ushtarak me seli në Uashington. Zyrtarët ushtarakë të lidhur me Ushtrinë Kombëtare Libiane që sipas Institutit për Studimin e Luftës janë të lidhur me Rusinë, deklaruan se ukrainasit lëshuan gjashtë dronë detarë kundër anijes luftarake Merkury, dy prej të cilëve e goditën atë. Ndërkohë, sipas një burimi të cituar nga platforma e lajmeve ushtarake "Clash Report", dronët detarë që sulmuan anijen luftarake ruse të ankoruar në bazën detare të Bengazit, mund të jenë nisur nga Shqipëria dhe të kenë përshkuar Mesdheun, në vend që të niseshin nga objekte ushtarake në Libinë perëndimore. Ky version do të mund të kufizonte pasojat politike dhe të sigurisë brenda Libisë, ku pretendimet se forcat ukrainase kanë përdorur baza në perëndim kanë ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e mundshme të vendit në konfliktin Rusi-Ukrainë. Burimi deklaroi se autoritetet në Libinë lindore kanë gjurmuar itinerarin nga i cili janë nisur dronët. Burimi ka hedhur poshtë raportimet se janë përdorur objekte ushtarake në Libinë perëndimore ndërkohë që akuzon ukrainën se synon të fshehë pikën e nisjes së dronëve. Por ky version nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur. Raportimet nga Reuters dhe Associated Press, që citojnë burime ushtarake libiane, sugjerojnë se varkat e përdorura në sulm janë nisur nga një bazë e kontrolluar nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore.